Nina Kanina fituesja e vendit të dytë në Tirana Photo Festival, na tregon më shumë për pasionin e saj “fotografinë” dhe si e realizoi foton fituese.

Tirana Photo Festival cmimet 2022

Nina, si lindi pasioni për fotografinë?

Fotografia lindi si pasion vite më parë e më vonë mori trajta profesionale. Fokusi im janë njerëzit në habitatin e tyre, të lirshëm për të qenë vetvetja, pa u kompleksuar nga prania e aparatit.

A kanë ndikuar udhëtimet në ushqyerjen e fotografisë?

Udhëtimet më kanë ndihmuar të njoh njerëz interesantë, me të cilët përveçse një foto kam ndarë qoftë dhe një bisedë të ngrohtë. Një pjesë e mirë e fotove nga festivali janë shkrepur gjatë një projekti ku përveç të tjerash më njohu me banorët e zonës së Tropojës dhe Malësisë dhe pjesëza nga jeta e tyre në fshat.

Cila është historia pas kësaj foto?

Tirana Photo Festival cmimet 2022

Personi në foto është Gjeto Tinaj, megjithëse kur u pyet në fillim për emrin tha “më thërrisni gjysh”. Gjyshi është një figurë mjaft e dashur për Vermoshin. Me profesion profesor letërsie, nuk ju nda asnjëherë pasionit që kishte për muzikën dhe veglat frymore. Me vete mbate një kuti shahu, thesarin e tij ku ruante instrumentat. E hapi dhe mes tyre zgjodhi ti binte një gjetheje. Vendosa të “vjedh” këtë moment nga bota e tij në të cilën mes tingujsh nuk nguroi të na bënte pjesë.

A e prisnit të vlerësoheshit me çmim në këtë konkurs?

Më vjen mirë që pasioni im depërton tek njerëzit. Vlerësimi që mora nga juria padyshim më shton dëshirën për të eksploruar atë më tepër.

 

2022-09-29T09:12:28+00:00