Ermal Hallaci vlerësohet me çmimin “fotoja më e mire rurale” në Tirana Photo Festival 2022

Ermal Hallaçi 26 vjeç nga Kukësi, i cili ka studiuar për Menaxhim Turizmi Rural në Universitetin Bujqësor Tiranë. Prej 3 vitesh ka punuar si Reporter për mediat kombëtare duke mbuluar Qarkun e Kukësit. Ermali ushtron aktivitetin si  udhërrëfyes malor, për të cilin shprehet se e bën me shumë pasion. Ndërsa fotografia është një tjetër pasion i tij, kryesisht fotografimi i natyrës dhe njerëzve vendas.

Si e mësuat për Tirana Photo Festival?

Sa i përket informacionit për të marrë pjesë ju kam ndjekur në rrjetet sociale, madje kam tentuar të marr pjesë edhe vitin e kaluar por nuk funksiononte mirë linku për të dërguar fotot.

Na tregoni si e realizuat foton?

Fotoja u realizua në një fshat afër Shishtavecit, në Novosej. Ishte një ditë vjeshte por e ftohtë. Po udhëtoja me makinë drejt Shishtavecit dhe në cep të rrugës një grua e moshuar mbante mbi shpinë dru zjarri për t’i çuar në shtëpi. U ndalova dhe realizova disa fotografi por gjithmonë nga pas për të ruajtur edhe identitetin e nënës. Ishte moment i vështirë emocionesh, nëna ishte mbi të 70-tat. Ky është një realitet që vazhdon të shihet në këto fshatra malor.

A e prisnit të vlerësoheshit me çmim në këtë konkurs?

Po kisha besim se do fitoja një çmim, sepse fotoja kishte shumë përputhje me temën e konkursit “Shqipëria në fokus”.

2022-09-29T08:53:43+00:00