Interviste me Joni Margjeka, fitues i Çmimit të parë të TFF2022

Joni Margjeka u lind në Tiranë, më 31 Maj 1990. Studimet e mesme i ka kryer në Tiranë pranë gjimnazit Petro Nini Luarasi. Nga viti 2009 deri në vitin 2011 ka jetuar në Gjermani, ku fillimisht ka mbrojtur gjuhën gjermane me rezultate të larta në München dhe më pas ka kryer një vit parauniversitar në qytetin e Leipzigut për kurse teknike në “Study&Training Studienkolleg”.

Nga viti 2012 deri në vitin 2017 ka kryer studimet e larta për Planifikim dhe Menaxhim Urban në Universitetin Polis në Tiranë. Në vitin 2017 ka mbrojtur temën e diplomës për masterin shkencor me titull: “Risqet natyrore dhe njerëzore ndaj Trashëgimisë Kulturore në Bashkinë Tiranë”. Përgjatë periudhës universitare dhe pas-universitare ka qenë i angazhuar në workshope dhe trajnime të ndryshme që lidhen me trashëgiminë kulturore dhe natyrore brenda dhe jashtë vendit.

Pas përfundimit të masterit shkencor dhe internshipit Joni vijon të ushtrojë profesionin e planifikuesit urban me një përvojë të konsoliduar në këtë fushë. Ai ka qenë pjesë e ekipeve hartuese të një sërë projektesh me impakt lokal dhe kombëtar për territorin ku vlejnë të përmenden Planet e Përgjithshme Vendore të Bashkive: Malësi e Madhe, Përmet, Këlcyrë, Kolonjë, Peqin, Patos, Roskovec dhe Mallakastër. Gjithashtu Joni ka marrë pjesë në hartimin e planeve urbanistike të një sërë zonash me rëndësi kombëtare në bregdetin e Adriatikut si: Baks – Rrjoll, Rana e Hedhun, Tale, Grykëderdhja e Ishmit dhe Spille.

Aktualisht Joni është i angazhuar në shoqërinë civile ku vlen të përmendet antarësia e tij në organizatën Europa Nostra me fokus te mbrojtja e trashëgimisë kulturore në Evropë, si dhe antarësia e tij në Shoqatën Ornitologjike Shqiptare “AOS” me fokus tek mbrojtja e habitatit, biodiversitetit, natyrës dhe mjedisit të shpendëve në Shqipëri. Në kuadër të angazhimit të tij me AOS ai është certifikuar si ornitolog pasi ka ndjekur kursin e identifikimit të shpendëve Bird ID nga viti 2020 deri në vitin 2021, organizuar në bashkëpunim me Nord University, Norvegji.

Pasioni për fotografinë

Joni e ushtron pasionin për fotografinë prej mëse 15 vitesh tashmë. Ai ka arritur të prezantohet me një pjesë të mirë të trashëgimisë kulturore dhe natyrore të Shqipërisë nëpërmjet lentes së aparatit të tij fal pasionit të madh që ka për të fotografuar, udhëtuar dhe hulumtuar. Subjekti kryesor i fotografisë së tij janë peizazhet natyrore, rurale dhe ato urbane të Shqipërisë, portretet njerëzore si dhe trashëgimia e pasur kulturore dhe natyrore shqiptare. Një fokus të veçantë në fotografinë e tij kanë edhe kishat bizantine dhe pas-bizantine. Për fotografimin e këtyre të fundit ai është vlerësuar me tre çmime (dy çmime nderi dhe një çmim të dytë) në konkursin ndërkombëtar të fotografisë “Ngjyrat e Ortodoksisë Shqiptare” organizuar nga kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Në një tjetër konkurs fotografik kombëtar me temë “Pasuritë e Shqipërisë” organizuar nga Instituti i Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit, Joni është vlerësuar me çmimin e tretë.

Fillimisht ai ka nisur të fotografojë me një “bridge camera”; Fujifilm FinePix S1800, i cili e ndihmoi të kuptoi magjinë e “pikturimit me dritë”. Kaq mjaftoi për t’u dashuruar me fotografinë.

Dëshira për ta zhvilloj më tej artin e fotografisë në një nivel tjetër, bëri që të vazhdonte të fotografonte zhaner të ndryshme dhe të mësonte më shumë për këtë pasion të mahnitshëm.

Mbi rrugëtimin e tij fotografik Joni shprehet:

-Përkushtimi nuk mund të shpërblehet vetëm me vullnet, ndaj vendosa të blej kamerën që posedoj aktualisht, një aparat fotografik DSLR me kornizë të plotë, Nikon D750.

Kjo është ajo që kërkoja, një aparat fotografik profesional që të më shoqëronte në udhëtimin tim, të zbuloja të panjohurën dhe të më lejonte të regjistroja kujtimet dhe mendimet e mia në celuloid.

Aktualisht fotografoj trashëgiminë e pasur kulturore të Shqipërisë, natyrën e saj të çmuar dhe spontanitetin e jetës së përditshme. Jam në kërkim të gjurmëve antropologjike dhe etnografike të popullit shqiptar, gjithashtu përpiqem të dëshmoj, përmes fotografisë, kronologjinë historike të vendit tim dhe vazhdimësinë etno-kulturore të popullit shqiptar.

Si e mësuat për Tirana Photo Festival?

Për Tirana Photo Festival e mësova nëpërmjet rrjeteve sociale, konkretisht nga faqja e promovimit të turizmit Visit-Tirana dhe nuk ngurova të konkuroja në dy kategori fotografike: “Rinia Shqiptare” dhe “Shqipëria në Fokus”.

Përshkrim i fotos:

Nga 5 fotografi me të cilat konkuroja në kategorinë “YouthHood” – “Rinia Shqiptare”, foton “Violinistja” e kisha më afër zemrës.

Kjo fotografi është pjesë e një cikli të tërë të titulluar “Njerëz në Dritare” të fotografuar në vende të ndryshme të Evropës, të cilat kryefjalë të përbashkët kanë qëndrimin dualist të njeriut midis dy botëve: asaj private dhe asaj publike.

Kjo fotografi është e preferuara ime pasi nga të gjitha veprimet që një njëri mund të kryej në këtë gjendje dyzuese (ku njëkohësisht është dhe brenda dhe jashtë ndërtesës), luajtja e violinës është ndër veprimet më të dëlira njerëzore pasi nëpërmjet tingujve të instrumentit, instrumentisti kërkon të lidhet me “gjithësinë” dhe të çlirohet nga “linja demarkuese” e parvazit të dritares që ndan këto dy botë.

Njëkohësisht kjo fotografi shpreh shpresë në një Shqipëri që po zbrazëtohet dita – ditës nga rinia, elementi më jetëdhënës i saj. Për këtë arsye juria e konkursit krahas titullit të përzgjedhur nga unë “Violinistja” këtë fotografi e nëntitulloi “Ende ka Shpresë”. Një nëntitull që në fakt duhet të jetë titulli i misionit të çdo shqiptari të mirë që lufton për një Shqipëri më të lirë, më të drejtë dhe më të barabartë.

Si e realizuat foton?

Në mënyrë krejt rastësore. Pasi dëgjova tingujt e violinës të cilët më tërhoqën vëmendjen, pash skenën të cilën e inkuadrova menjëherë në fokusin e aparatit. Fati donte që të ndodhesha në vendin dhe momentin e duhur.

A e prisnit të fitonit çmim me këtë foto?

Këtë foto e kam vendosur në momentin e fundit në grupin e fotove me të cilat do konkuroja në kategorinë “Rinia Shqiptare” pasi fillimisht më është dashur të marr miratimin e prindërve të vajzës “Violinistes” nëse mund ta përdorja imazhin e saj apo jo. Pas miratimit të tyre dhe pas një pavendosmërie të gjatë nga ana ime nëse ishte etike për ta përdorur si foto vendosa që ta bëj pjesë të aplikimit tim. Të them të drejtën nuk e prisja fare pavarësisht se në thellësi të shpirtit tim doja të fitoja një çmim me këtë foto për vet historinë që kjo foto mbart. Pritshmëritë e mia ishin shumë të ulëta, jo për atë çka fotografia ime përfaqëson më shumë sesa për shkak të paragjykimit që kisha që kryesisht konkurse të tilla zhvillohen pa meritokraci. Mendoja se e shumta mund të vlerësohesha me ndonjë çmim nderi apo ndonjë çmim të tretë por kurrsesi që do isha fituesi i çmimit të par të këtij edicioni.

Jam shumë i lumtur për rezultatin e arritur dhe për këtë arsye do doja të falenderoja nga zemra organizatorët e këtij eventi dhe punën profesionale të jurisë e cila përbëhej nga emra elitar të fotografisë shqiptare.

Credits: Tirana Photo Festival www.tiranaphotofestival.com

2022-09-20T13:41:22+00:00