Tirana Photo Festival vjen në edicionin e tij të 7-të, duke vazhduar pa ndërpreje rrugëtimin si Festivali më popullor i fotografisë në Shqipëri, si për nga gjithëpërfshirja edhe për nga numri i pjesëmarrjes.

Edicioni i këtij viti është Rrënjët, një temë sa globale aq dhe aktuale për realitetin ku po kalon Shqipëria

Mbi 500 fotografi janë pranuar në këtë edicion në një konkurs të hapur për të gjithë, profesionistë dhe amatorë, si për kategorinë “Foto Single” – konkurs me imazhe tematike nga Shqipëria, ashtu si edhe për konkursin “Foto Series” – me imazhe tematike të cilat tregojnë një histori, nga e gjithë bota.

Tema e Vitit

Tema e këtij viti përcjell një fenomen global, ku shumë njerëz lëvizin në botë nga një vend në tjetrin duke lënë përfundimisht atdheun e tyre. Por në Shqipëri ky problem është kthyer në një çështje akute sociale, pasi tashmë prej disa dekadash largimi vazhdon masivisht, duke përgjysmuar dhe plakur popullsinë në rritme të pakthyeshme. Sot shumica e kombit shqiptar jeton në diasporë, dhe duke mos patur mundësinë të vazhdojnë arsimimin shqip, e kanë të pamundur të ruajnë në breza traditat gjuhën, kulturën duke u asimiluar gradualisht.

Nga ana tjetër, vendi po përjeton një boom turistik të paprecedentë dhe përveç turistëve edhe shumë shtetas të huaj kanë vendosur të jetojnë në Shqipëri. Në këtë kontekts, të një globalizimi më rrezik të lartë homologimi kulturor, Tirana Photo Festival me tmën “Rrënjët” dëshiron të rrisë ndërgjegjësimin pikërisht për identitetin e kombit shqiptar, duke ftuar fotografët të përjetojnë për të gjithë momentet më të bukura të pasurive tona unike, të tokës tonë, të traditave tona, të kulturës, veshjeve, riteve dhe të autenticitetit dhe vlerave shpirtërore të kombit. Por Festivali është gjithashtu i hapur për të sjellë dhe kultura të vendeve të tjera duke mbajtur gjithnjë një dritare hapur për fotografet nga e gjithë bota të jenë pjese e Festivalit. Përmes Foto Series fotografët nga e gjithë bota janë ftuar të sjellin projektet e tyre fotografike po me temën Rrënjët, për të sjellë kulturat dhe traditat e tyre.

Risite e ketij viti

Këtë vit, Juria Profesionale e TFF e përbërë nga Rozafa Shpuza, Roland Tasho dhe Monika Stafa kanë përzgjedhur fotografitë më të mira për seksionin “Single Photo” dhe ndërkohë, nga fotogazetari i njohur Armando Babani ka përzgjedhjur projektet më të mira të seksionit “Photo Series”.

Festivali organizon si çdo vit disa punëtori, ku veçojmë atë me Armando Babani mbi punën në projekt të fotografëve dhe atë me Rozafa Shpuza mbi skenën e fotografisë në vend. Gjatë festivalit do ketë takime me artistë, si dhe një event nga Kolonia Nomade Pressura me temë mbi Fotografinë Sociale

Një foto Safari do të zhvillohet në kërkim të rrënjëve tona historike në Petrele dhe Venbanimin Historik të Përsqopit, mbajtur nga fotografi shqiptar Albert Çmeta.

Ceremonia e madhe e dhënies së Çmimeve këtë vit është organizuar pranë ambjenteve të Instalacionit Reja në Tiranë.

Ekspozita do të jetë e hapur për të gjithë, duke ftuar publikun pra në ambjente publike të qytetit. Ketë edicion zgjodhëm Parkun Rinia, zemër e Kryeqytetit tonë si ndër vendet më të frekuentuara të tij.

Stafi 

Organizator i këtij festivali të përvitshëm, është DMO ALBANIA, një organizatë që marketon destinacionet shqiptare dhe autenticitetin e tyre, ku projekti më i rëndësishëm i saj është portali turistik informativ Visit Tirana. Festivali mbështetet nga Bashkia Tiranë, e cila prej 7 vitesh është bashkëudhëtare e këtij Festivali, si dhe Ministria e Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit. Bashkëudhëtar tjetër i festivalit është EJAlbum me kolektivin e tij të artistëve. Tirana Photo Festival ka krijuar një komunitet të mrekullueshëm të apasionuarish pas fotografisë ndër vite, të cilët janë motorri i vërtetë i festivalit.

Stafi i Tirana Photo Festival 2024 është i përbërë nga: Eva Kushova, Drejtor i festivalit, Mevisa Xhuli, koordinatore e e tij, Valentina Bruno dhe Alessandro Fini, asistentë në një program internship, Heldi Mema, dizajner grafik, Elton Koritari, kurator i Festivalit.

2024-07-09T13:54:48+00:00